BIDATI I MEVLUDIT në sytë e medhebeve!

21
Aug

BIDATI I MEVLUDIT në sytë e medhebeve!

Fatkeqësisht, është kthyer në dukuri që mjaft bidate apo lëshime në fe të arsyetohen duke u veshur artificialisht me petkun e Ebu Hanifes, kurse në realitet vet Ebu Hanifja ka qenë plotësisht i pastër dhe i distancuar nga praktika të tilla, siç e dëshmojnë edhe vetë burimet klasike të fikhut. Allahu e mëshiroftë!

- Medhhebi Hanefi

Nëse u referohemi veprave kryesore e bazë të medhhebit hanefi si el-Asl i Muhamed esh-Shejbanit, el-Mebsut i Ebu Bekr es-Serahsijut, apo Bedai' es-Sanai' i el-Kasanit, në kapitujt ku trajtohen kremtimet fetare, norma është e prerë:

• Në Islam ekzistojnë vetëm dy festa: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.

• Çfarëdo caktimi i një dite tjetër të përvitshme si festë, tubim apo rit fetar, konsiderohet jashtë sheriatit dhe bën pjesë te bidatet.

Në vijim, po sjellim qëndrimet e disa prej dijetarëve të njohur hanefi:

Muhamed el-Muti'ij el Hanefij në veprën e tij "Ahsen el-Kelam" shkruan:

"Nga gjërat e shpikura për të cilat pyetet shpesh është edhe mevludi, një bidat ky që u fut historikisht nga fatimitët (sekt shiit)."

Ebul Hasenat el-Leknevij el Hanefij në librin "El-Athar el-Merfu'ah" thekson:

"Çdo adhurim i përbashkët (si mevludi, netët e mëdha, etj.) që nuk mbështetet në praktikën e sahabëve dhe të imamëve të medhhebeve, konsiderohet 'mekruh tahrimen' (i urryer në shkallë ndalimi) dhe një bidat i shëmtuar."

Ibn Ebil-Izz el-Hanefij në komentimin e tij të famshëm të Akides Tahavije, tërheq vërejtjen se çdo rrugë afërsie me Allahun dhe çdo shprehje e dashurisë ndaj Profetit ﷺ duhet të mbetet brenda kufijve të asaj që ai vetë dhe shokët e tij praktikuan, pa i shtuar fesë festa apo rite të mëvonshme.

- Medhhebi Maliki:

Dijetarët e medhhebit maliki kanë mbajtur të njëjtin qëndrim të rreptë ndaj shpikjes së bidateve në formë feste e përkujtimi:

Ibn el-Haxh el Maliki në veprën e tij të njohur "El-Medhal" shkruan:

"Prej bidateve që kanë shpikur duke menduar se kjo është prej adhurimeve më të mëdha dhe shfaqje e simboleve është ajo që bëjnë në muajin Rebiul-Evel me rastin e Mevludit... Dhe sikur ai të jetë i pastër nga haramet e vetëm të shtrohet ushqim me nijet për Mevlud e të ftohen vëllezërit, mbetet përsëri bidat vetëm për shkak të nijetit, sepse kjo është shtesë në fe dhe nuk ka qenë prej praktikës së selefëve të kaluar."

Ebu Bekr et-Tartushi el Maliki, nga autoritetet më të hershme malikite të Andaluzisë, në librin e tij "El-Bida' uel-Hauadith" vendos rregullin se çdo tubim i përvitshëm që njerëzit e marrin si festë fetare apo sezon madhërimi, duke mos qenë i urdhëruar nga Pejgamberi ﷺ apo i praktikuar nga sahabët dhe medhhebi i Medinës, është bidat i ndaluar, pasi burimi i festave mbetet vetëm shpallja hyjnore.

- Medhhebi Shafi'i:

Autoritetet më të mëdha të hadithit dhe fikhut shafi'i kanë konfirmuar mungesën e kësaj praktike në brezat e artë:

Tekstet bazë të medhhebit shafi'ij si El-Umm i vetë Imam Shafi'iut dhe El-Muhedhdheb i Ebu Is'hak esh-Shirazijt, në kapitujt që trajtojnë festat, e përcaktojnë numrin e tyre si të prerë dhe të padiskutueshëm: vetëm Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.

Sipas pjesës juridike shafi'ite, çdo përpjekje për të shpikur apo ligjësuar një "festë të tretë" vjetore në emër të fesë mbetet tërësisht pa mbështetje në tekstet dhe parimet e Imam Shafi'iut.

Hafidh Shemsuddin es-Sehaui esh-Shafi'i në risalen e tij "Itkan el-Maked" sqaron se praktika e mevludit nuk ka asnjë gjurmë nga Pejgamberi ﷺ, as nga sahabët, as nga tabiinët dhe as nga vetë Imami Esh-Shafi'i, por është shpikur krejtësisht pas tre shekujve të parë të artë.

- Medhhebi Hanbeli:

Në fikhun hanbeli, parimi i festave mbështetet rreptësisht në rregullin se adhurimet dhe festat janë çështje vetëm të përcaktuara nga Shpallja (Teukifijjeh):

Ibn Kudame el-Makdisi (nga autoritetet më të larta të fikhut Hanbeli) në veprën e tij gjigande "El-Mugni", gjatë trajtimit të kapitullit të Bajrameve, përcakton se festat e ligjëruara në Islam janë vetëm dy: Fitër Bajrami dhe Kurban Bajrami.

Sipas rregullave të medhhebit hanbeli, caktimi i çfarëdo dite tjetër të përvitshme si tubim fetar apo festë përbën ndërhyrje në rregullat e përcaktuara nga Allahu dhe i Dërguari i Tij, andaj mbetet e pavlefshme dhe e ndaluar.

Ibn Tejmije, ka thënë; "Iktida es-Sirat el-Mustekim", ka thënë:

"Sikur mevludi të ishte mirësi, selefët (të parët tanë) do të kishin qenë më parësorë që ta kremtonin, ngase ata e donin dhe e madhëronin të Dërguarin e Allahut më shumë se ne."

Shejh Uthejmini, ka thënë:

​"Mevludi është bidat dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim. Thuajuni atyre që e festojnë: 'Nëse me të vërtetë e doni Pejgamberin, mos dilni para tij dhe mos futni risi në fenë e tij!'"

​Andaj, mbështetur në burimet bazë dhe autoritetet e fikhut të katër medhhebeve, mevludi është bidat dhe nuk lejohet të kremtohet. Këtë qëndrim e mbron elita e dijetarëve bashkëkohorë, si dhe hoxhallarët më eminentë në trojet tona.

​Dëgjoji dhe mbështetu te ata, sepse kurrë nuk del i humbur!

Eralb Havolli,
20.08.2026 | Medinë

Shpërndaje

Ndihmoje Muslimanin Ideal!

Mos e pi një kafe, jepe n’dawet!

Për gurbetqarët